Ai foli për punën e institutit gjatë vitit 2025, si dhe për planet për vitin 2026.
“Për fat të mirë e njoh mirë punën e institutit në përgjithësi, pasi jam i punësuar që nga viti 2007. Në pozitën në të cilën ndodhem tani jam i lumtur që, pavarësisht sfidave që kemi pasur, e kemi përmbyllur vitin me sukses. Si institut kemi realizuar 31 botime, që është një numër i kënaqshëm, duke pasur parasysh se gjatë pesë-gjashtë viteve të fundit numri i botimeve ka qenë nga 20 deri në 30 në vit”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se edhe gjatë vitit 2026 do të vazhdohet me të njëjtin intensitet puna në projektet shkencore.
“Si udhëheqës i këtij institucioni do të mundohem t’i shtyj përpara të gjitha projektet që janë në realizim e sipër. Aktualisht janë gjithsej 37 projekte, të cilat synojmë t’i përmbyllim dhe t’i vazhdojmë me sukses”, tha ai.
Berisha veçoi si projekt të rëndësishëm grupor Fjalorin e Gjuhës Shqipe, ku Instituti Albanologjik, në veçanti Dega e Gjuhësisë, është partner në hartimin e këtij fjalori së bashku me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
“Ky projekt i madh pritet të përmbyllet në fillim të vitit 2026”, përfundoi Berisha.




