Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë janë vlerësuar si të qeta dhe të administruara në mënyrë profesionale nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Megjithatë, kanë evidentuar disa mangësi, përfshirë mungesën e materialeve zgjedhore në disa gjuhë dhe qasjen e kufizuar për personat me aftësi të kufizuara. Janë ngritur gjithashtu shqetësime për procesin e certifikimit të Listës Serbe dhe funksionimin e administratës zgjedhore.
Kryetari i delegacionit të PACE, Yunus Emre, në një konferencë për medie, i cilësoi zgjedhjet si të qeta dhe të administruara në mënyrë profesionale, pavarësisht afateve të shkurtra zgjedhore. Megjithatë, Emre ngriti shqetësime lidhur me refuzimin e përsëritur të certifikimit të Listës Serbe dhe listës së saj të kandidatëve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendime që më pas u rrëzuan nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme.
“Zgjedhjet ishin të përgatitura mirë nga ana teknike, pavarësisht afateve të shkurtra, dhe u vlerësuan përgjithësisht si gjithëpërfshirëse. Megjithatë, për herë të katërt këtë vit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi certifikimin e partisë kryesore serbe të Kosovës, Lista Serbe, dhe listës së saj të kandidatëve. Ky vendim u rrëzua më pas nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme. Ky model i përsëritur ngriti shqetësime lidhur me qëndrueshmërinë dhe paanshmërinë e administratës zgjedhore në procesin e certifikimit”, tha Yunus Emre, kryetar i delegacionit të PACE.
Sipas PACE, në disa qendra votimi materialet zgjedhore nuk ishin të disponueshme në gjuhë të tjera përveç gjuhës shqipe, ndërsa qasja fizike për personat me aftësi të kufizuara mbetet një sfidë në shumë vendvotime. Emre përmendi se gjatë procesit zgjedhor dje në një qendër votimi, administrata zgjedhore nuk lejoi praninë e një ekipi vëzhgues të PACE gjatë numërimit të votave.
“Në disa qendra të votimit materialet e zgjedhjeve nuk ishin në dispozicion në gjuhë tjera përveç asaj shqipe. Qasja për personat me aftësi të kufizuara mbetet sfidë ne shumë vendvotime. Votuesit që kërkojnë asistencë gjatë votimit duke përfshirë personat që nuk dinë shkrim e lexim ishte po ashtu një problem në disa vendvotime. Fatkeqësisht, në një qendër votimi, administrata zgjedhore nuk lejoi praninë e një ekipi vëzhgues të PACE gjatë numërimit të votave”, tha ai.



