Libri “Klithma” përmbledh rrëfimet e fëmijëve të luftës, të cilët sot, në moshë të rritur, dëshmojnë për plagët fizike dhe shpirtërore të shkaktuara nga bombat dhe minat e një shteti shovinist. Janë histori që autorët dhe shkaktuesit e dhunës mund t’i harrojnë, por që mbeten të pashlyeshme në shpirtin e një populli me shumë martirë dhe të mbijetuar.

Përmes “klithmave” të kësaj vepre, autorja sjell dritën e fjalës dhe ndërgjegjes së viktimave fëmijë, të cilët sot kërkojnë një botë më të bukur, më të drejtë dhe me shpirt njerëzor. Libri shndërrohet kështu në një thirrje për kujtesë, drejtësi dhe humanizëm.

Në një postim në rrjetet sociale, autorja ka shprehur krenarinë e saj për këta heronj të heshtur, të cilët sot janë qytetarë të Republikës së Kosovës, duke theksuar se “Klithma” është zëri i tyre dhe i një historie që nuk guxon të harrohet.