KRU “Prishtina” thotë se tarifat përfshijnë shërbimet e ujësjellësit dhe ujërave të ndotura, furnizimin me ujë të pa-trajtuar me shumicë, si dhe ujin e trajtuar me shumicë. Llogaritja e tarifës bëhet duke pjesëtuar kërkesën për të ardhura me vëllimin e ujit të shitur, duke marrë parasysh edhe efikasitetin në arkëtimin e të ardhurave.

KRU “Prishtina” shton se kërkesa për të ardhura përbëhet nga tri komponentë kryesorë: shpenzimet operative, mirëmbajtja kapitale dhe kthimi në Bazën Rregullatore të Aseteve.

Në këtë proces, KRU “Prishtina” ka dorëzuar kërkesat për periudhën 2026–2028, të cilat përfshijnë shpenzime operative për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me ujë dhe shërbime të kanalizimit, për shkak të rritjes së kostove për personelin dhe energjinë elektrike.

Po ashtu, janë paraparë projekte kapitale dhe mirëmbajtje e rrjetit ekzistues për të reduktuar defektet dhe ndërprerjet në shërbim, si dhe investime për modernizimin e aseteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët.

Nga KRU “Prishtina” theksohet se, edhe pas aprovimit të tarifave, kompania mbetet e përkushtuar të ofrojë shërbime të qëndrueshme, cilësore dhe pa ndërprerje për qytetarët.