Autoritetet kufitare njoftojnë se disa pika kalimi po përballen me pritje më të gjata për automjetet që dalin nga vendi, ndërsa hyrjet në të gjitha pikat kufitare po zhvillohen normalisht dhe pa vonesa.
Në disa pika kufitare po regjistrohen pritje më të gjata për automjetet në dalje.
Sipas të dhënave të fundit, në pikën kufitare Jarinjë pritjet variojnë nga 50 deri në 60 minuta, me kolona që arrijnë nga 400 deri në 500 metra. Në Merdarë, udhëtarët po përballen me pritje prej 40 deri në 60 minutash dhe kolona rreth 600 metra, ndërsa në Mutivodë raportohen pritje rreth 60 minuta me kolona deri në 500 metra.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Muçibabë, ku pritjet janë rreth 30 minuta me kolona 500 metra, si dhe në pikën Dheu i Bardhë, me pritje nga 30 deri në 40 minuta dhe kolona rreth 300 metra.
Ndërkohë, situata në hyrjet e pikave kufitare paraqitet e qetë dhe e menaxhueshme. Autoritetet bëjnë të ditur se hyrjet për automjetet në shumicën e pikave realizohen për 1 deri në 5 minuta, pa kolona të raportuara. Nuk ka pritje të theksuara dhe qarkullimi po zhvillohet normalisht.




