Kjo është njëra nga pjesët e përgjigjes që Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit i ka kthyer RTK-së, në pyetjen nëse kanë nisur verifikimin e pasurisë së presidentes së shtetit Vjosa Osmani, për çka u raportua në media.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit tutje thotë se trajton çdo raportim apo informacion të pranuar me seriozitet të plotë, në mënyrë profesionale, të pavarur dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, duke respektuar standardet më të larta të integritetit institucional.

“Njëkohësisht, ju njoftojmë se procedurat e APK-së janë të natyrës konfidenciale gjatë fazave të trajtimit dhe verifikimit dhe, si të tilla, nuk mund të jenë objekt i komentimit publik apo i konfirmimit përmes komunikimeve me media. Agjencia zyrtarisht komunikon vetëm përmes kanaleve të saj zyrtare dhe vetëm në rastet kur ligji e lejon një gjë të tillë”, thuhet në përgjigjen e kësaj agjencie.

Presidenca e Kosovës më herët për RTKlive tha se nuk kanë informacione se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka nisur verifikimin e pasurisë së presidentes së shtetit, Vjosa Osmani.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina i ka thënë RTKlive se informacione të tilla nuk kanë, porse thotë se presidentja mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet e fakte. Kupina këtë e ka quajtur fushatë njollosjeje, që sipas tij mirëfilli dihen pse po ndodhin në këtë fazë.

“Ne nuk kemi informacione të tilla, por Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhin në këtë fazë”, ka thënë për RTKlive Kupina.