Reshjet e dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa zona urbane dhe rurale të Prishtinës, duke vështirësuar qarkullimin rrugor dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Sipas autoriteteve komunale, ekipet emergjente kanë intervenuar në mbi 40 raste, ndërsa situata mbetet e ndjeshme edhe në ditët në vijim.
Si pasojë e vërshimeve, është vështirësuar qarkullimi i automjeteve në disa akse rrugore, veçanërisht në magjistralen Fushë Kosovë–Prishtinë, ku janë krijuar kolona të gjata trafiku. Gjithashtu, janë vërshuar edhe disa rrugë kryesore brenda qytetit, përfshirë aksin që lidh lagjen Dardania me stacionin e autobusëve.
Nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë bëhet e ditur se, pavarësisht situatës, gjendja aktualisht është stabile dhe se problemet e evidentuara gjatë orëve të mëngjesit janë evituar falë intervenimeve të shpejta të ekipeve komunale. Sipas zyrtarëve, ndërhyrje janë kryer në disa pika problematike që përsëriten shpesh, si zona e stacionit të autobusëve, lagjja “Bill Clinton” dhe segmente të tjera të qytetit, si dhe në magjistralen nga Mitrovica në drejtim të Prishtinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës.
Ndërkohë, autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonat e përmbytura dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se, për shkak të ndotjes së madhe të ujit në kanalin Ibër–Lepenc dhe daljes jashtë funksionit të Impiantit të Trajtimit të Ujit në Shkabaj, janë detyruar të aplikojnë reduktime të ujit në disa komuna dhe lagje të kryeqytetit. Si pasojë, furnizimi me ujë është ndërprerë për Fushë Kosovën, Obiliqin, një pjesë të lagjes Kalabria dhe disa zona të Prishtinës.
Nga KRU “Prishtina” bëhet e ditur se, megjithëse vërshimet kanë shkaktuar vështirësi në furnizim, prurjet e mëdha të ujit kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e nivelit të liqeneve akumuluese Batllavë dhe Badoc. Ekipet teknike të kompanisë janë të vendosura në të dy impiantet e trajtimit të ujit dhe po monitorojnë situatën në vazhdimësi, ndërsa furnizimi emergjent me ujë po realizohet përmes autobotëve në zonat e prekura.
Institucionet përgjegjëse kanë bërë të ditur se janë në gjendje gatishmërie të plotë dhe u bëjnë thirrje qytetarëve që çdo rast emergjent ta raportojnë në numrat zyrtarë. Po ashtu, paralajmërohet se situata mund të përkeqësohet nëse reshjet vazhdojnë edhe në ditët në vijim.




