Vërshimet e fundit në Komunën e Klinës kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, bujqësi dhe në jetën e përditshme të banorëve, sidomos në fshatrat përreth.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe daljes së lumenjve nga shtrati, shumë zona janë vërshuar.

Një pjesë e banorëve janë evakuuar në katet e dyta të shtëpive, ndërsa disa biznese kanë ndalur aktivitetin. Po ashtu, është ndërprerë energjia elektrike për të evituar rreziqet dhe dëmet.

Ekipet e emergjencës kanë qenë vazhdimisht në terren për të monitoruar situatën dhe për të ofruar ndihmë.

Në një intervistë për RTK-në, kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka treguar se disa banorë të zonës janë evakuuar në katet e sipërme të shtëpive të tyre dhe po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm nga autoritetet lokale.