E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, ia ka theksuar Kryeprokurorit të Posaçëm të SPAK, Klodjan Braho, dhe Kreut të BKH, Joni Keta, se Shtetet e Bashkuara do të përballen me kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe kudo që veprojnë kundër interesave të SHBA-së.
“Siç ka deklaruar Sekretari Rubio: ‘Ne do të përballemi me kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe kudo që veprojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. Detyrimi kryesor i presidentit është të sigurojë interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të popullit tonë’”, u shpreh VanHorn.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë bëri të ditur se VanHorn ka përgëzuar Kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK, Klodjan Braho, dhe Kreun e BKH, Joni Keta, për rolet e tyre të reja drejtuese.
Në njoftim theksohet se Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen për përpjekjet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve, duke nënvizuar se SHBA qëndron e bashkuar në luftën kundër krimit ndërkombëtar.




