Policia e Kosovës ka raportuar katër raste të vdekjeve të dyshimta brenda 24 orëve të fundit në qytete të ndryshme të vendit, për të cilat janë iniciuar hetime dhe trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Sipas raportit policor, më 7 janar 2026, rreth orës 12:30, në Prizren është gjetur pa shenja jete një mashkull. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
Po atë ditë, rreth orës 16:05, në Gjakovë është gjetur pa shenja jete një femër në shtëpinë e saj. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës. Trupi i saj është dërguar në IML për obduksion, me urdhër të prokurorit.
Një tjetër rast është raportuar në Mitrovicën e Jugut, më 7 janar 2026, rreth orës 13:38, ku një femër kosovare është gjetur pa shenja jete në banesën e saj. Edhe në këtë rast, ekipet policore dhe mjekësore kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion në IML.
Ndërkaq, në Suharekë, më 7 janar 2026, rreth orës 08:30, një femër tjetër është dërguar fillimisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor si pasojë e problemeve shëndetësore. Sipas raportit, gjendja e saj është përkeqësuar dhe ajo ka ndërruar jetë më pas. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për të gjitha rastet janë në zhvillim, ndërsa shkaqet e vdekjeve pritet të sqarohen pas përfundimit të obduksioneve.




