Musa Kurhasku
Kur shteti është i kapur, drejtësia bëhet e gjunjëzuar. Në Kosovë korrupsioni nuk është më dyshim, por fakt i përditshëm. Nuk është më pyetje a ka korrupsion, por kush nuk është përfshirë. Dhe nuk është rastësi që gishti drejtohet gjithmonë kah politikanët. Sepse aty ku është pushteti, aty është edhe plaçka. Politikanët janë bërë simbol i korrupsionit jo pse qytetarët janë paragjykues, por sepse realiteti është i pamëshirshëm. Ata marrin besimin e popullit dhe e shndërrojnë në kapital personal. Mandatin e kthejnë në pronë private. Institucionin në bankë familjare. Sa herë që një politikan betohet për ndershmëri, qytetari ka arsye të frikësohet. Sepse përvoja ka treguar se pas besimit vjen nepotizmi, pas nepotizmit hajnia, e pas hajnise ,heshtja institucionale. A do kemë hestje në qeverisjen Kurti 3. A do ket kontrata një burimore. Apo edhe tregtar edhe ambasador e ministra dhe drejtor digasteresh. Mbetet të shifet. Sistemi nuk shembet nga njerëz të këqij, por nga njerëz të këqij që nuk ndëshkohen. Është ofendim për inteligjencën publike kur drejtues dikasteresh pasurohen brenda dy apo tre vitesh më shumë se sa një biznes i ndershëm në dy dekada. Kjo nuk është sukses, por grabitje e legalizuar. Askush nuk bëhet milioner vetëm duke firmosur letra, përveçse në shtete ku ligji fle dhe pushteti vjedh. Po kryetarët e partive? A janë të verbër apo bashkëpunëtorë? Si mund të udhëhiqet pushteti dhe të mos dihet se ministri yt vjedh, drejtori yt korruptohet dhe familjarët e tu pasurohen? Heshtja e liderëve politikë nuk është padije, është mbrojtje. Dhe mbrojtja e korrupsionit është krim politik. Kosova është shndërruar në paradoks absurd: politikanë pa biznese, pa rrezik tregu, pa inovacion, bëhen milionerë; ndërsa qytetarët me dy punë mezi mbijetojnë. Politika nuk është më shërbim publik, por rrugë e shpejtë drejt pasurimit të pistë. Prandaj lind pyetja e ndëshkimit. A duhet të dënohet rëndë korrupsioni i lartë? Po. Sepse korrupsioni vret më shumë se plumbi, vret shpresën, drejtësinë dhe të ardhmen e një shteti. Dënimet simbolike janë ftesë për krim, jo pengesë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese kundër konfiskimit të pasurisë së pajustifikuar është shembull i kapjes morale të drejtësisë. Të mbrosh pasurinë e pashpjeguar në emër të “të drejtave të njeriut” është cinizëm juridik. E drejta e qytetarit për drejtësi është mbi të drejtën e politikanit për luks të pashpjeguar. Kosova ka nevojë urgjente për mekanizma që ua mbyllin derën amnistive politike dhe pazareve në emër të stabilitetit. Pasuria e pajustifikuar duhet konfiskuar. Pa përjashtim. Pa marrëveshje.Pa kompromis. Sepse një shtet që nuk e ndëshkon korrupsionin, nuk është viktimë, është bashkëpunëtor. Dhe një shoqëri që e duron këtë, rrezikon të mbetet përgjithmonë peng i hajdutëve me kollare.




