Raportimi i disa mediave në Kosovë për artikullin e gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ), lidhur me takime jozyrtare mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Zvicër, ka nxitur reagime të shumta dhe ka hapur debat për mënyrën e keqinterpretimit të burimeve ndërkombëtare.
Artikulli i NZZ, i publikuar më 6 janar, raportonte për ekzistencën e një formati bisedimesh joformale, të organizuara nga Zvicra, ku sipas burimeve të gazetës, kanë marrë pjesë rregullisht edhe përfaqësues të nivelit të lartë nga të dyja palët. Në tekst përmendej se ndër pjesëmarrësit në këto takime kanë qenë edhe ministra nga Kosova dhe Serbia, përfshirë zëvendëskryeministrin në detyrë Besnik Bislimi dhe ministrin e Jashtëm serb, Marko Gjuriq.
Megjithatë, një pjesë e mediave në Kosovë e interpretuan këtë raportim si dëshmi për takime të drejtpërdrejta dhe “të fshehta” mes Bislimit dhe Gjuriqit, duke ndërlidhur paragrafë të ndryshëm të artikullit dhe duke krijuar një narrativë që nuk ishte e shprehur në tekstin origjinal të gazetës zvicerane.
Menjëherë pas publikimit të artikullit të NZZ, disa media në Kosovë dolën me tituj që pretendonin për takime të fshehta mes Bislimit dhe Gjuriqit, duke e paraqitur raportimin si zbulim për kontakte direkte mes dy zyrtarëve. Këto raportime u shpërndanë gjerësisht në hapësirën mediatike dhe në rrjetet sociale.
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, i mohoi kategorikisht këto raportime, duke i cilësuar si keqinterpretime të qëllimshme dhe dezinformata. Ai deklaroi se asnjëherë nuk ka pasur “takime të fshehta apo sekrete” me Marko Gjuriqin dhe se as vetë gazeta NZZ nuk kishte raportuar për një takim të tillë të drejtpërdrejtë.
Bislimi paralajmëroi edhe hapa ligjorë ndaj mediave që, sipas tij, kanë keqpërdorur artikullin e gazetës zvicerane për të dezinformuar opinionin publik. Mohime të ngjashme erdhën edhe nga këshilltarë të tij dhe nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas reagimeve, redaksia e ‘NZZ am Sonntag’ e plotësoi artikullin origjinal me një fjali sqaruese, ku theksohej qartë se Besnik Bislimi dhe Marko Gjuriq “nuk janë takuar drejtpërdrejt me njëri-tjetrin”.
Ndërkohë, platforma kosovare për verifikimin e fakteve Hibrid.info analizoi këtë rast dhe doli në përfundimin se lajmi ishte shtrembëruar në procesin e ritransmetimit nga mediat vendore. Sipas Hibridit, problemi kryesor qëndronte në ndërlidhjen e gabuar të paragrafëve të artikullit të NZZ, pa kontekst të plotë dhe pa verifikim shtesë.
“Gazeta ka bërë ndarjen mes ndërlidhjes potenciale të pjesës ku thuhet se politikanë të lartë të Kosovës dhe të Serbisë janë parë shumë të afërt me njëri-tjetrin dhe me pjesën ku përmenden Bislimi dhe Gjuriqi. Ndarja bëhet te pjesa ku thuhet: ‘Megjithatë, në Zvicër, deri më tani, nuk ishte e ditur publikisht se nga të dyja palët merrnin pjesë rregullisht ministra. Sipas disa burimeve, mes tyre ishin zëvendëspresidenti i Kosovës Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për negociatat me Beogradin, dhe ministri i Jashtëm i Serbisë dhe ish-ambasadori në ShBA, Marko Gjuriq’. Pra, mediat në Kosovë kanë anashkaluar këtë shkëputje, duke e bërë ndërlidhjen mes paragrafit të parë dhe të dytë të artikullit. Paragrafi i parë flet për shëtitjen miqësore mes përfaqësuesve të palës kosovare dhe asaj serbe, ndërsa paragrafi i dytë flet për atë që thuhet se është mësuar rishtazi se në takime kanë marrë pjesë edhe ministra nga të dyja palët. Këtu pastaj përmendet se në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe Bislimi e Gjuriqi, por pa thënë se këta të dy ishin takuar. Si rezultat i këtyre raportimeve, redaksia e ‘NZZ am Sonntag’ u detyrua të shtojë një fjali sqaruese, duke theksuar se Bislimi dhe Gjuriqi nuk janë takuar drejtpërdrejt. Në këtë rast, dështimi nuk ishte vetëm interpretues, por editorial: ndërlidhja e paragrafëve pa kontekst dhe pa verifikim prodhoi një lajm që nuk ekzistonte në burimin origjinal”, thekson analiza e Hibrid.info.




