Dhuna fizike dhe dhuna në familje kanë dominuar raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, me disa raste të regjistruara në Prishtinë, Fushë Kosovë, Podujevë, Gjakovë, Vushtrri dhe Leposaviq.
Në Fushë Kosovë, dy persona, prej tyre një i mitur, janë arrestuar pasi gjatë një përleshjeje kanë sulmuar fizikisht dy viktima, të cilat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor. Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Prishtinë, një person është arrestuar për sulm ndaj zyrtarit policor brenda stacionit të policisë, pasi kishte refuzuar zbatimin e urdhrave policorë. Zyrtari i lënduar ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Dhuna në familje është raportuar në disa raste të ndara.
Në Prishtinë janë arrestuar dy persona për sulm fizik ndaj bashkëshorteve, ndërsa në Podujevë një grua, së bashku me tre fëmijët e saj, është dërguar në strehimore për shkak të dhunës së vazhdueshme fizike dhe psikike.
Raste të ngjashme janë raportuar edhe në Gjakovë, Vushtrri dhe Leposaviq, ku të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Policia ka njoftuar se të gjitha rastet janë inicuar dhe po hetohen në koordinim me prokurorinë.




