Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Sportit, Bislim Bislimi, ka bërë të ditur se ndërtimi i Stadiumit Nacional të Kosovës është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2026, me një fond fillestar prej 4 milionë eurosh.
Sipas Bislimit, ky projekt do të vazhdojë edhe në vitet pasuese dhe vlera totale e investimit pritet të tejkalojë 20 milionë euro. Ai theksoi se ndërtimi i Stadiumit Nacional konsiderohet një domosdoshmëri për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.
Megjithatë, ende nuk është përcaktuar lokacioni ku do të ndërtohet stadiumi, ndërsa autoritetet kompetente pritet të dalin me vendim në fazat e ardhshme të projektit.
Stadiumi Nacional synon të shërbejë si arenë kryesore për ndeshjet ndërkombëtare dhe aktivitetet sportive madhore në vend.




