“Mohimi i krimeve dhe gjenocidit serb, destabilizim për Ballkanin” ka qenë tema e tryezës së diskutimit të organizuar nga Forumi i Intelektualëve të Shtimes, me rastin e shënimit të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut. Në këtë aktivitet u theksua nevoja për angazhim të vazhdueshëm institucional dhe shkencor për zbardhjen e së vërtetës mbi gjenocidin e kryer nga shteti serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Juristi Arsim Bajrami tha se gjenocidi i Serbisë në Kosovë ka qenë një ndërmarrje e organizuar shtetërore, e cila është zbatuar në tri faza. “Faza e parë ka qenë planifikimi, faza e dytë ekzekutimi gjatë viteve 1998–1999, ndërsa faza e tretë është mohimi. Ajo çfarë po ndodh sot tregon se logjika serbe shkon deri aty sa të mohojë edhe Masakrën e Reçakut”, theksoi Bajrami.
Historiani dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo, u shpreh se brezat që ende jetojnë dhe që i mbajnë mend këto ngjarje e kanë për detyrë morale të punojnë për realizimin e amanetit të viktimave, por edhe për vendosjen e drejtësisë. “Një drejtësi e mangët, siç është rasti kur ende nuk janë dënuar autorët e kësaj masakre, mbetet një drejtësi e cunguar”, tha ai.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vlerësoi se mohimi i krimeve serbe në Kosovë nuk është thjesht mohim i së kaluarës, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për të ardhmen. “Ai minon drejtësinë, pengon pajtimin e sinqertë dhe mban gjallë tensione që rrezikojnë stabilitetin rajonal. Pa ballafaqim me të vërtetën, pa drejtësi dhe pa përgjegjësi, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme”, u shpreh Malaj.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, tha se pas Memorialit të Jasharajve, edhe Memoriali i Masakrës së Reçakut është shpallur projekt nacional. “Shteti do të kujdeset që të investohet në këtë memorial dhe që këtu të mbrohen e të arkivohen të gjitha dëshmitë dhe detajet e krimeve serbe ndaj popullatës civile”, theksoi Aliu.
Në këtë tryezë diskutimi, me punimet dhe analizat e tyre u paraqitën edhe studiues të historisë dhe të jurisprudencës, të cilët trajtuan aspektet historike, juridike dhe politike të krimeve të kryera në Kosovë.





