Basha tha se në atë kohë mediat botërore u pushtuan me lajme nga tmerri i asaj që ndodhi në Reçak, ndërsa u shpërfaq edhe fytyra barbare me prirje gjenocidale e Serbisë ndaj një populli të pafajshëm. Sipas tij, Reçaku mbetet plagë e hapur për shkak se ende nuk ka drejtësi.

Ai theksoi se bashkësia ndërkombëtare ka bërë një punë të mirë me intervenimin e saj, por jo edhe me sjelljen e autorëve para drejtësisë.

“Ne, si institucione, nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi, sepse besojmë thellë se pa drejtësi për viktimat e Reçakut dhe për viktimat gjithandej në Kosovë, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të ketë paqe dhe siguri në rajon”, u shpreh Basha.

Në fund, ai nderoi martirët dhe dëshmorët e Reçakut.