Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kujtuar masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, duke e cilësuar atë si një nga faqet më të errëta të historisë së njerëzimit.
Gërvalla theksoi se në mëngjesin e akullt të asaj dite, forcat serbe ekzekutuan barbarisht 45 civilë shqiptarë, burra, gra, pleq dhe të rinj të paarmatosur, vetëm pse ishin shqiptarë. Ajo u shpreh se në Reçak, krimi shtetëror serb u shfaq hapur në formën më çnjerëzore të tij, i ndërtuar, i planifikuar dhe i zbatuar si arkitekturë e krimit dhe e gjenocidit kundër një populli të pafajshëm dhe liridashës.
Tutje Gërvalla tha se masakra e Reçakut e zhveshi përfundimisht dhunën shtetërore serbe nga çdo justifikim, duke e bërë të pamundur fshehjen e fakteve, pasi viktimat ishin civilë, krimi ishte i qëllimshëm dhe përgjegjësia ishte shtetërore. Ajo theksoi se ky moment u bë pikë kthese historike, duke mobilizuar botën demokratike për t’i dhënë fund barbarisë serbe dhe për t’i hapur rrugë lirisë së Kosovës.
Gërvalla shtoi se sot, përfaqësuesit e Serbisë, me në krye presidentin Aleksandar Vuçiq, vazhdojnë të ndërtojnë narrativa mbi mohimin e masakrave dhe glorifikimin e kriminelëve, ndërsa Reçaku qëndron si fakt i palëkundur. Ajo theksoi se asnjë propagandë nuk mund ta fshijë gjakun e pafajshëm dhe asnjë rishkrim historie nuk mund ta zhbëjë të vërtetën.
Në fund, Gërvalla u shpreh se për Kosovën, Reçaku mbetet kujtim dhe zotim për kërkimin e drejtësisë, duke nënvizuar se drejtësia nuk është e negociueshme dhe se do të mbetet busull morale në çdo forum dhe tryezë ndërkombëtare.



