Një ilaç përkancerin e prostates që zgjat jetën e pacientëve do të jetë në dispozicion të mijëra burrave në Angli në javët e ardhshme, raporton BBC. Ilaçi do të vihet në dispozicion pas një fushate të madhe ndërgjegjësimi të udhëhequr nga një pacient dhe një organizatë bamirëse.
Abirateroni është tashmë i disponueshëm në NHS në Skoci dhe Uells nga viti 2023, por jo në Angli dhe Irlandën e Veriut , përveç rasteve që konsiderohen shumë serioze. Megjithatë, që tani e tutje, Abirateroni do të jetë gjithashtu i disponueshëm në NHS në Angli për pacientët me rrezik të lartë, kanceri i të cilëve nuk ka metastazuar ende.
Amy Rylance, zëvendësdrejtoreshë në organizatën bamirëse Prostate Cancer UK, tha se vendimi ishte “një fitore e rëndësishme që do të shpëtojë jetën e mijëra burrave”. Ajo vlerësoi BBC-në për “hedhjen dritë mbi këtë çështje” përmes mbulimit të saj në vitet e fundit.
Giles Turner, pacienti që luajti një rol qendror në rritjen e ndërgjegjësimit për këtë çështje, u diagnostikua me kancer agresiv të prostatës në mars të vitit 2023. Ai kontaktoi BBC-në më vonë atë vit pasi mësoi se Abiraterone ofrohej nga NHS në Skoci dhe Uells, por jo në Angli.
«Isha i shokuar dhe i zemëruar që kodi im postar nënkuptonte se më mohohej qasja falas në një trajtim që mund të përgjysmonte rrezikun e vdekjes dhe të më jepte shansin më të mirë», tha ai. Ai zgjodhi të paguante për trajtimin, i cili i kushtonte 250 paund në muaj, dhe nisi një fushatë për këtë çështje.
Në atë kohë, NHS England kishte njoftuar se po shqyrtonte përdorimin e ilaçit për një gamë më të gjerë burrash. Megjithatë, vitin pasardhës, zyrtarët informuan Prostate Cancer UK se nuk kishte fonde në dispozicion.
“Lajmi i mrekullueshëm i sotëm është kulmi i të gjitha përpjekjeve tona të vendosura dhe këmbëngulëse. Jam shumë i lumtur që burra si unë tani kanë qasje të drejtë në trajtimin më efektiv, që shumë jetë do të shpëtohen dhe që shumë familje do të kursehen nga vuajtjet”, tha ai, duke theksuar se ndihet i zhgënjyer që kanë kaluar pothuajse tre vjet që kur e ngriti çështjen.
Ilaçi do të jetë i disponueshëm brenda pak javësh, sipas NHS England, dhe rreth 2,000 burra të diagnostikuar me kancer të prostatës në tre muajt e fundit do të kenë qasje në trajtim, nëse ka përfitim klinik.



