Inspektorati Policor i Kosovës ka hetuar pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarët policorë në Leposaviq, por që ka dal të jetë kallëzim i rremë.
Një person kishte raportuar për keqtrajtim fizik nga zyrtarët policor tek Ura e Bistricës pak pas orës 22:00 të datës 13 janar gjatë kontrollit policor me veturë.
“Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar ankuesi në cilësinë dëshmitarit në prezencën e avokatit të tij mbrojtës ku i njëjti ka deklaruar se gjatë kontrollit nga zyrtarë të Policisë së Kosovës ishte keqtrajtuar dhe goditur nga zyrtarët policorë. I njëjti ka potencuar para hetuesve të IPK-së se si pasojë e këtij keqtrajtimi kishte pësuar lëndime prapa në qafë, në bërrylin e majtë, në dorën e djathtë dhe në këmbë nga zyrtari policor i cili e kishte bërë kontrollin sipërfaqësor në trup dhe për këtë ka kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë – Veri. Sipas tij, njëri nga zyrtarët policor e ka goditur edhe shokun e tij me kondak të armës së gjatë në këmbë”, njofton IPK.
Pretendimet e ankuesit u panë që ishin të rreme pas hetimit të video incizimeve nga vendi i ngjarjes.
“Nga procesi i analizimit të video incizimeve hetuesit e IPK-së kanë vërejtur se pretendimet e ankuesit janë të sajuara dhe të njëjtat i janë paraqitur prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i cili ka kërkuar që ndaj ankuesit tani i dyshuar të iniciohet rast dhe hetim penal me dyshimin për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”, njofton IPK.



