Në një postim në Facebook, Kurti rikujton se më 17 janar 1468, në Lezhë, Skënderbeu ndërroi jetë i rrethuar nga bashkëluftëtarët dhe lavdia e fitoreve të tij, pas një çerekshekulli të udhëheqjes së rezistencës kundërosmane dhe përpjekjeve për ndërtimin e aleancave politike me fisnikët arbër dhe faktorë të tjerë rajonalë.

Duke ndalur te prejardhja dhe rrugëtimi i tij historik, Kurti thekson se Gjergj Kastrioti, pinjoll i dinastisë fisnike të Kastriotëve, nga një sinjor mesjetar u shndërrua në një strateg ushtarak dhe prijës politik të përmasave evropiane.

“Nga viti 1443 kur ai u rebelua ndaj ushtrisë osmane dhe derisa vdiq më 1468, Skënderbeu i priu një qëndrese të gjerë kundër depërtimit të mëtutjeshëm të osmanëve në Evropë, duke i bashkuar shumë fisnikë në Kuvendin e Lezhës më 1444; duke krijuar aleancë me Mbretërinë e Napolit dhe Aragonës, si dhe duke ruajtur marrëdhënie të dendura diplomatike veçanërisht me Papatin në Romë, me Republikën e Raguzës në Dubrovnikun e sotëm dhe me Republikën e Venedikut në Itali”, ka shkruar Kurti.

Sipas Kurtit, jehona e lavdive nga fitoret kundër osmanëve të pathyeshëm në atë kohë, por edhe kundër forcave serbe në Ballkan dhe kundërshtarëve të Napolit në Itali, i dhanë Skënderbeut namin e njërit prej ushtarakëve më gjenialë dhe prijësve më të paepur të Evropës së Mesjetës.

“Ndër shekuj pas vdekjes së tij, figura e Skënderbeut vazhdoi të frymëzonte njerëzit gjithandej kontinentit evropian, por veçmas arbërit, qoftë si arbëreshë në Itali, qoftë si shqiptarë pas pushtimit të plotë nga Perandoria Osmane. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u vendos nga rilindasit në shekullin e XIX si një nga shtyllat e kombformimit dhe shtetndërtimit te shqiptarët. Historia e tij asnjëherë nuk e ka humbur aktualitetin dhe as forcën për të inspiruar. Skënderbeu vazhdon të jetë edhe sot në qendër të identitetit kombëtar dhe historik shqiptar, si figurë përbashkuese për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë nëpër botë”, ka nënvizuar Kurti.