Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas ndryshimeve në rezultatet e kandidatëve për deputet, duke e quajtur këtë një rezistencë të brendshme ndaj reformave të partisë. Ai ka paralajmëruar se do të ketë pasoja, por se këto do të diskutohen pas mbajtjes së Kuvendit.
Abdixhiku tha se vota e të rinjve të LDK-së u tjetërsua nga ata që e kanë kthyer politikën në një strehë interesi dhe bëri thirrje për veprim të drejtësisë dhe rinumërim të votave në nivel vendi.
“Kur sulmohet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate që beson te e ardhmja. Përgjegjësia ligjore duhet të zbatohet pa hezitim,” tha Abdixhiku, duke shtuar se emrat e komisionerëve manipulues janë të njohur dhe duhet të japin llogari.
Ai përfundoi duke kërkuar që KQZ të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie dhe mbrojtje të votës së lirë: “Vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet.”




