Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar për praninë e një substance të rrezikshme në qumështin për foshnje Nestlé – Nidina Optipro 1 (600g).
Sipas AUV-it, bazuar në njoftimin e pranuar nga Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), me numër reference 2025.9962, është identifikuar prania e substancës Cereulide në lotin 52860346BB të këtij produkti.
Produkti në fjalë është me origjinë nga Holanda dhe është importuar në Republikën e Kosovës nga kompania Nestlé Nederland BV.
“AUV është duke bërë bllokimin e këtij produkti dhe më pas do të fillojë me procesin e asgjësimit, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
AUV thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe zinxhirit ushqimor, me qëllim që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’u garantohet ushqim i sigurt dhe i shëndetshëm.




