Kompanitë anëtare të Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës do të përfaqësojnë industrinë kosovare të drurit në Panairin Ndërkombëtar të Ndërtimit SWISSBAU 2026 në Basel.
Në këtë edicion të panairit marrin pjesë gjithsej 27 kompani nga Kosova, prej të cilave 21 kompani janë nga industria e përpunimit të drurit dhe anëtare të SHPDK-së, ndërsa kompanitë e tjera përfaqësojnë sektorë të materialeve ndërtimore nga metali, plastika dhe alumini.
„Kompanitë kosovare do të prezantojnë një gamë të gjerë produktesh dhe dizajnesh, duke përfshirë: dyer dhe dritare, kuzhina, mobilje për dhoma gjumi, tavolina dhe karrige, mobilje për banjo, dyer ndarëse, rafte, shtëpi dhe ndërtesa të parafabrikuara, si dhe produkte të tjera për ambiente të jashtme“, thuhet në komunikatën e kësaj Shoqate.
“Pjesëmarrja jonë në SWISSBAU 2026 është një mundësi strategjike për kompanitë kosovare të zgjerojnë tregun e tyre në Zvicër dhe rajon. Ky përfaqësim tregon fuqinë konkurruese, cilësinë dhe inovacionin e industrisë së drurit në Kosovë dhe krijon hapësirë për bashkëpunime të reja dhe kontrata ndërkombëtare“, ka deklaruar Arieta Vula-Pozhegu, drejtoresha ekzekutive e SHPDK-së.
Pjesëmarrja e SHPDK në panair ka qenë e vazhdueshme që nga viti 2010.




