Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e pretendimeve të pabazuara dhe të ndjekin vetëm trajtimet dhe metodat e aprovuar nga profesionistë të licencuar shëndetësorë. Ky reagim vjen pas raportimeve në media dhe rrjete sociale që kanë ngritur shqetësime lidhur me një rast të dyshuar, ku një individ thuhet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm.
“Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe rrjete sociale lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë”, thuhet në njoftim.
Sipas Ministrisë, lidhur me këtë rast janë njoftuar institucionet kompetente dhe po punohet në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore.
“Shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”, përfunon Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkohë, lidhur me pretendimet e bëra, i përfoluri A.S. ka dhënë një sqarim përmes rrjeteve sociale, duke u përpjekur të shpjegojë qëllimet e tij dhe veprimet e ndërmarra.
“Arianit Sllamniku askënd nuk e ka mashtruar me logjikën e shëndoshë të një analize në lidhje me ndonjë sëmundje, sepse nuk vijnë vetëm autikët te unë. Unë askënd nuk e kam detyruar me ardhë te unë, pra është vullneti i lirë i secilit të drejtohet ose orientohet te unë”, ka thënë mes tjerash ai.




