Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se Prokurori i Shtetit ka monitoruar vazhdimisht nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore në Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit, Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë rinumërimit brenda subjekteve politike për deputet në rajone të ndryshme të vendit, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që, në komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit, të fillojnë menjëherë grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave relevante për dyshimet mbi kryerjen e veprave penale që lidhen me procesin zgjedhor.
Po ashtu, Pula ka kërkuar që edhe në komunat ku procesi i rinumërimit ende nuk ka përfunduar, menjëherë pas përmbylljes së tij, prokuroritë përkatëse të ndërmarrin veprimet e nevojshme për grumbullimin e provave.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka theksuar se Prokurori i Shtetit do të mbetet i angazhuar për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe do të hetojë çdo rast për të cilin ekzistojnë dyshime për keqpërdorim apo falsifikim të votave, në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë.




