Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vlerësoi të martën se marrëveshja britanike për transferimin e sovranitetit mbi ishullin Diego Garcia te Mauritiusi ishte “një akt dobësie të plotë”, duke shtuar se ishte “idiotësi e madhe” dhe “një tjetër në një linjë shumë të gjatë arsyesh të sigurisë kombëtare pse duhet të merret Groenlanda”.
Në ishullin Diego Garcia ndodhet një bazë ajrore amerikano-britanike me rëndësi strategjike në Oqeanin Indian.
Mbretëria e Bashkuar dhe Mauritiusi arritën një marrëveshje vitin e kaluar për të transferuar sovranitetin mbi Ishujt Chagos te Mauritiusi, me Britaninë që lejohej të mbante kontrollin e bazës ajrore me një kontratë qiraje afatgjatë.
Marrëveshja u mbështet më parë nga administrata amerikane, e cila, gjatë nënshkrimit në maj, deklaroi se e “mirëpriti” marrëveshjen dhe përgëzoi përpjekjet për të siguruar funksionimin afatgjatë të bazës së përbashkët ushtarake.Marrëveshja e Britanisë me Mauritiusin u shty deri pas inaugurimit të Trump në janar 2025, pasi Londra donte t’i jepte administratës së re kohë për të shqyrtuar detajet e planit.Trump shkroi të martën në llogarinë e tij Truth Social: “Çuditërisht, aleati ynë ‘i shkëlqyer’ i NATO-s, Mbretëria e Bashkuar, aktualisht po planifikon t’ia dorëzojë ishullin Diego Garcia, vendndodhjen e një baze ushtarake jetësore amerikane, Mauritiusit, PA ASNJË ARSYE.”
Reagimet nga Britania
Qeveria britanike i është përgjigjur kritikave të ashpra të Donald Trump dhe tha se Mbretëria e Bashkuar nuk do të kompromentojë kurrë sigurinë e saj kombëtare. Një zëdhënës i qeverisë shpjegoi se autoritetet britanike duhej të vepronin sepse baza në ishullin Diego Garcia ishte nën kërcënim të drejtpërdrejtë nga vendimet e gjykatës. Sipas tij, këto vendime minuan pozicionin britanik dhe mund të pengonin funksionimin e planifikuar të bazës në të ardhmen, raporton Sky News.
“Marrëveshja e arritur siguron operacionet e bazës së përbashkët SHBA-Britani e Madhe në ishullin Diego Garcia për brezat që do të vijnë”, tha zëdhënësi në një reagim zyrtar. Ai shtoi se kjo marrëveshje u mirëprit publikisht nga Shtetet e Bashkuara, Australia dhe të gjithë aleatët e tjerë nga rrethi “Pesë Sytë”, si dhe partnerët kryesorë ndërkombëtarë, përfshirë Indinë, Japoninë dhe Korenë e Jugut.
Trump tha se nuk kishte dyshim se “Kina dhe Rusia e kanë vënë re këtë veprim” nga Mbretëria e Bashkuar.
Sekretari kryesor i kryeministrit dhe një anëtar i rrethit të ngushtë të qeverisë britanike, Darren Jones, tha të martën se marrëveshja ishte opsioni më i mirë për bazën ushtarake, duke i lejuar asaj të operojë për 100 vitet e ardhshme.
“Marrëveshja është nënshkruar tashmë”, tha Jones për Times Radio, duke shtuar se ajo nuk mund të ndryshohet tani.
Udhëheqësja konservatore britanike, Kemi Badenoch, ka mbështetur kritikat e Donald Trump ndaj qeverisë së Keir Starmer lidhur me vendimin për të dorëzuar Ishujt Chagos. Badenoch ishte shumë e ashpër në vlerësimin e saj dhe tha se pagesa për dorëzimin e ishujve nuk ishte thjesht një akt budallallëku, por vetëshkatërrim i plotë.
“Kam qenë e qartë dhe, për fat të keq, në këtë pikë Presidenti Trump ka të drejtë. Plani i Keir Starmer për të dhënë Ishujt Chagos është një politikë e tmerrshme që minon sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe hedh poshtë territorin tonë sovran”, tha Badenoch. Ajo shtoi se një veprim i tillë e bën Britaninë dhe aleatët e saj në NATO më të dobët përballë armiqve të tyre.
Kryetarja e opozitës zbuloi gjithashtu se ishte takuar me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, i cili ndan të njëjtat pikëpamje me të. Ajo theksoi se interesat e Britanisë dhe Amerikës janë të përafërta dhe i bëri thirrje Kryeministrit Starmer të ndryshojë kursin për çështjen Chagos. Së fundmi, ajo shtoi se Konservatorët po i bëjnë thirrje gjithashtu Presidentit Trump të rishqyrtojë qëllimin e tij për të blerë Grenlandën.



