Në kuadër të zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit 2024/2025, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar se ka filluar auditimin e performancës “Fuqizimi i rolit të grave në udhëheqje dhe marrje të vendimeve”. Ky auditim po realizohet në bashkëpunim me Kontrollin e Lartë të Shtetit të Shqipërisë dhe Zyrën e Revizionit të Maqedonisë së Veriut, me mbështetjen e UN Women.
Sipas njoftimit të ZKA-së, auditimi do të përfshijë subjektet kryesore përgjegjëse për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe do të shqyrtojë përfshirjen e indikatorit gjinor në pozitat vendimmarrëse në kuadër të administratës shtetërore.” Subjekt i auditimit do të jenë Agjencia për Barazi Gjinore, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil, Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë dhe Departamenti për Reformat e Administratës Publike”, thuhet në njoftim.
ZKA thotë se auditimi synon të vlerësojë nëse institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë hapa konkretë për realizimin e objektivave strategjike globale të BE-së, përkatësisht objektivit të pestë strategjik, i cili synon krijimin e kushteve dhe qasjes së barabartë për të gjitha gratë dhe vajzat. Ky auditim thuhet se do të shqyrtojë masat e ndërmarra dhe efektin e tyre në realizimin e pjesëmarrjes, sigurimit të mundësive dhe përfaqësimit të barabartë gjinor.
Tutje theksohet se sipas të dhënave statistikore, administrata shtetërore nuk ka arritur balancim gjinor në pozitat e kategorive drejtuese. “Gratë janë të nënpërfaqësuara në masë të konsiderueshme në krahasim me burrat në pozitat vendimmarrëse të kategorisë së ulët, të mesme dhe të lartë. Edhe pse gratë përbëjnë 42% të të punësuarve në administratën publike, ato zënë vetëm 20–25% të pozicioneve drejtuese”, thuhet tutje në njoftim.



