Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes së tij. Hamza tha se Rugova i priu popullit në një periudhë të rëndësishme të historisë, në kohë sfidash dhe përpjekjesh të vazhdueshme, sipas tij, për afirmimin politik dhe ndërkombëtar të Kosovës.
“Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nderojmë figurën e tij historike dhe kontributin e tij në rrugëtimin shtetformues të Kosovës. Ish-Presidenti Ibrahim Rugova i priu popullit tonë në një periudhë të rëndësishme të historisë, në kohë sfidash dhe përpjekjesh të vazhdueshme për afirmimin politik dhe ndërkombëtar të Kosovës”, shkroi Hamza sot, në ditën kur u mbushën dy dekada nga vdekja e ish-presidentit Rugova.
Sipas kreut të PDK-së, Rugova përfaqësonte një qasje të veçantë politike dhe intelektuale, e cila la gjurmë të mëdha në diskursin publik dhe në proceset vendimtare të asaj kohe.



