Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka përkujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Haradinaj ka thënë se ka pasur nderin të bashkëpunojë me ish presidentin Rugova në ditët e para të lirisë, në një periudhë vendimtare dhe jashtëzakonisht të ndjeshme për shtetndërtimin e Kosovës.
“Sot, në përvjetorin e 20-të të ndarjes së tij nga jeta, e kujtojmë me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme. Me vizionin e tij shtetformues, ai i kushtoi rëndësi të veçantë forcimit të lidhjeve me Perëndimin, duke kultivuar miqësinë e përjetshme me Amerikën, veprime këto që i paraprinë pavarësisë dhe që vazhdojnë të mbeten themel i vizionit tonë si shtet,” ka deklaruar Haradinaj.




