Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, në Shtëpinë e Kosovës po mbahet paneli i diskutimit “Siguria energjetike dhe rrugët e tranzicionit”, ku mori pjesë ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Ajo theksoi se Rusia e ka shndërruar sektorin e energjisë në armë kundër Evropës, duke rritur varësinë energjetike dhe duke e kthyer energjinë në çështje të sigurisë kombëtare.
Rizvanolli tha se mbështetja në burimet vendore ka qenë dhe mbetet e domosdoshme për Kosovën. Sipas saj, për afatin e shkurtër është zgjedhur kombinimi i termocentraleve ekzistuese, energjisë së ripërtëritshme dhe masave të efiçiencës së energjisë, si investime të shpejta që plotësojnë kërkesat me koston më të ulët për pavarësi energjetike.
Ajo shtoi se në vitin 2021 Kosova kishte rreth 95 për qind varësi nga termocentralet me linjit për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa sot kjo varësi ka rënë afërsisht në 90 për qind, duke theksuar se ndryshimi po ndodh gradualisht dhe se puna në këtë drejtim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.




