Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” në Ferizaj.
Sipas njoftimit, rasti i vrasjes në tentativë kishte ndodhur më 21 dhjetor 2025, rreth orës 23:50, në rrugën “Wesley Clark” në Ferizaj, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ishte plagosur një person.
Policia ka bërë të ditur se sot, më 21 janar 2026, rreth orës 11:15, i dyshuari A.R., 31 vjeç, ka kontaktuar Qendrën e Komunikimit Rajonal të Policisë në Ferizaj, duke shprehur vullnetin për t’u vetëdorëzuar.
“Pas kësaj, hetuesit rajonalë përgjegjës për rastin, në bashkëpunim me një njësi patrulluese, kanë shkuar në adresën e të dyshuarit, ku edhe është realizuar arrestimi i tij”, ka njoftuar Policia e Kosovës .
Tutje bëhet e ditur se i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa për të gjitha veprimet hetimore është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.



