Federata e Futbollit e Kosovës e ka mohuar se është dënuar nga UEFA për keqpërdorim të fondeve, të lidhura me procesin e licensimit të klubeve.

 

Kjo pas raportimeve se Zyra e Kontrollit Financiar të Klubeve (CFCB) ka konstatuar keqpërdorim të fondeve të UEFA-s nga Federata e Futbollit të Kosovës, duke shqiptuar gjobë financiare në fillim në shumën prej 50,000 (pesëdhjetë mijë) euro me mundësi rritje deri në 200,000 (dyqind mijë) euro.

Por sipas FFK-së, këto pretendime janë të pavërteta dhe kanë për qëllim të deformojnë realitetin, veçanërisht në prag të procesit zgjedhor në FFK.

“Fjalët e dala në media se UEFA e ka dënuar FFK-n për keqpërdorim të fondeve të saj… nuk janë asgjë tjetër përveç se gënjeshtra të pastra që kanë për qëllim të deformojnë realitetin pikërisht në prag të procesit zgjedhor në të cilin gjendet FFK-ja”, ka thënë institucioni i drejtuar nga Agim Ademi.

Federata ka theksuar se marrëveshja e përmendur me UEFA-n nuk është e re, por është nënshkruar në vitin 2023, dhe se ajo parasheh që FFK-ja të forcojë departamentin e licensimit dhe të ushtrojë kontroll më rigoroz ndaj klubeve anëtare në disa segmente.

“Në këtë kontekst, FFK thekson se UEFA ndan fonde vjetore për të mbështetur federatat kombëtare në procesin e licensimit dhe se, “për shkak të gjetjeve që janë pjesë e kësaj marrëveshjeje, i ka ndalur FFK-së shumën prej 50 mijë eurosh”, ka thënë shtëpia kryesore e futbollit kosovar.

FFK po ashtu e ka kritikuar mënyrën se si po interpretohen dokumentat, duke thënë se disa persona po i keqpërdorin ato dhe po tentojnë të krijojnë konfuzion në opinion. Sipas Federatës, “është e çuditshme sesi persona të caktuar, keqpërdorin dokumentat në të cilat dikur kishin qasje dhe tentojnë që nëpërmjet keq-interpretimeve të krijojnë amulli në opinion, duke nënçmuar edhe nivelin e inteligjencës së adhuruesve të futbollit, të cilët këta persona të pandërgjegjshëm i vënë në lajthitje.”

FFK ka nënvizuar se marrëveshje të tilla UEFA i nënshkruan shpesh me federata të tjera kombëtare, duke përmendur si shembull Federatën e Kroacisë dhe Federatën e Shqipërisë, të cilave u janë ndalur fonde në rrethana të ngjashme.