Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka reaguar duke rikujtuar rëndësinë e vaksinimit të fëmijëve si preventivë për shumë sëmundje dhe si kundërpërgjigje ndaj informacioneve dezinformuese.
“Vitet e fundit janë përhapur disa informacione të pasakta që thonë se vaksina MMR shkakton autizëm. Kjo nuk është e vërtetë. Shkenca ka vërtetuar qartë se vaksina MMR nuk lidhet me autizmin. Këtë e konfirmojnë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), Qendra Amerikane për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve (CDC), Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), si dhe shumë studime ndërkombëtare që kanë përfshirë miliona fëmijë”, thuhet në reagimin e IKSHPK-së.
Instituti më tej thekson se vaksinimi ka ndikuar që sëmundjet si paraliza e fëmijëve e rubeola e lindur të zhduket, ndërkaq të rrallohet difteria dhe tetanusi si dhe fruthi të vihet nën kontroll.
“Vaksinimi është mënyra më e mirë për të mbrojtur fëmijët nga sëmundje të rrezikshme. Rreziku më i madh për shëndetin vjen nga mosvaksinimi, jo nga vaksinat. Vaksina MMR mbron nga fruthi, shytat dhe rubella. Fruthi nuk është sëmundje e lehtë – ai mund të shkaktojë komplikime serioze si infeksione të mushkërive, dëmtime të trurit dhe, në raste të rënda, edhe humbje jete”, vazhdon Instituti.




