Komuna e Prishtinës ka dalë me reagim lidhur me ligjëratën e mbajtur mbi Gjykatën Speciale në shkollën e mesme “Xhevdet Doda”, duke thënë se Drejtoria e Arsimit nuk ka qenë e përfshirë në vendimmarrje.
“Sipas informatave zyrtare të pranuara nga shkolla, aktiviteti është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), ndërsa miratimi për mbajtjen e tij është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH), pa përfshirjen dhe pa autorizimin e Drejtorisë së Arsimit në Kryeqytet”, thuhet në reagimin e tyre.
Kjo komunë thotë se do të merren masa ndaj personave përgjegjës.
“Drejtoria e Arsimit në Kryeqytet shpreh indinjatën për mënyrën se si është vepruar dhe njofton se do të ndërmerren masa konkrete ndaj të gjithë personave që mbajnë përgjegjësi për këtë veprim, në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi. Po ashtu, do të trajtohet edhe roli i organizatës që ka realizuar këtë aktivitet me nxënësit e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda”, vazhdon reagimi.
Sot gjatë ditës reagoi vet gjimnazi, duke thënë se në ambientet e shkollës nuk është mbajtur asnjë ligjëratë nga zyrtarë të Gjykatës Speciale. Ndërsa zëdhënësi i DSK-së, Michael Doyle, ka thënë për RTKLive se aktivitetet e gjykatës janë informuese dhe nuk përbëjnë ligjërata.




