Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar një operacion kundër trafikut të narkotikëve, duke ndaluar tre persona dhe konfiskuar një sasi të konsiderueshme të marihuanës.
Prokuroria ka njoftuar se rasti, i koduar “Bregdeti”, u zbuluar më 21 janar 2026 rreth orës 23:00 afër pikëkalimit kufitar në Merdare, ku i dyshuari H. S. ishte duke drejtuar një kamion me targa vendore.
Gjatë kontrollit, në kamion u gjetën 68 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 76.8 kilogramë.
Më pas, me urdhër të prokurorit, u kontrollua edhe shtëpia e të dyshuarit, ku u gjetën1, armë zjarri me 5 fishekë kalibri 9.9 mm,2 vetura dhe 1 kamion,1 telefon cellular dhe para të gatshme në vlerë 2,950 euro.
Në vazhdim të operacionit, më 22 janar 2026, u kryen bastisje edhe në dy shtëpi të tjera në fshatin Godishnjak – Podujevë.
“Gjatë kontrollit u gjetën 4 paketime me marihuanë, me peshë 4.454 kg, 2 vetura dhe 2 telefona celularë, thasë najloni dhe ngjitës për paketimin e narkotikëve dhe një armë zjarri me gaz, model Signasauser”, thuhet në njoftim.
Të tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria e Kosovës njofton se do të ndërmarrë veprimet e mëtejshme hetimore.
Prokurori i shtetit dhe Policia e Kosovës theksojnë përkushtimin e tyre për zbardhjen e veprave penale dhe sigurimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët e Republikës së Kosovës.




