Kosova bëhet me skaner të ri i cili do t’i përforcojë kontrollet në pikën kufitare në Merdarë. Ceremonia e inaugurimit të këtij skaneri që Kosova e mori si donacion nga Shtete e Bashkuara të Amerikës.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se kjo pajisje është tejet e nevojshme dhe e zgjidh problemin që është paraqitur sa i përket sigurisë në pikat kufitare në hyre-daljet e mallrave.
“Një pajisje e tillë është tepër e nevojshme dhe zgjidh edhe problemin që është paraqitur së fundmi sa i përket sigurisë në pikat kufitare, në hyrje daljen e mallrave, sidomos në hyrje, dhe kjo po besoj do të përshpejtojë, do të jetësojë qarkullimin e mallrave dhe në të njëjtën kohë duke siguruar që ka integritet edhe procesi i verifikimit të mallrave dhe sigurisë së përgjithshme”, tha Murati.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se rritja e sigurisë mbetet një nga prioritetet kyçe të institucioneve të Republikës së Kosovës, në funksion të ruajtjes të rendit dhe ligjit, mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial dhe garantimit të sigurisë për të gjithë qytetarët.
Ai tha se kjo përfaqëson jo vetëm një avancim të rëndësishëm teknologjik, por edhe një dëshmi konkrete të partneritetit të fuqishëm e të qëndrueshëm midis Kosovës e Shteteve të Bashkuara.
“Siguria e kufirit përbën një shtyllë themelore të sigurisë kombëtare dhe të funksionimit të plotë të shtetit ligjor. Në një kontekst të ndryshimeve të mëdha dhe të shpejta globale dhe të rritjes së rreziqeve të sigurisë, ndërtimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të reja kufitare janë të domosdoshme për garantimin e stabilitetit dhe forcimin e aftësisë të institucioneve tona për tu përballur me sfidat”, tha ai.
Anu Prattipati, e ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së, tha se ky skaner do ta ndihmojë Doganën e Kosovës të parandalojë kontrabandën, të reduktojë kohën e pritjes dhe të sigurojë që tregtia e ligjshme të zhvillohet pa pengesa nëpër kufij. “Ky është edhe një shembull tjetër i partneritetit të fortë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve të Kosovës, përfshirë Doganën dhe Policinë Kufitare”, tha ajo.




