KRM “Pastrimi” ka njoftuar se ka nisur aplikimin e çmimores për grumbullimin dhe transportin e mbeturinave për qytetarët dhe bizneset e Prishtinës, në përputhje me rregulloren e miratuar nga Kuvendi Komunal.
“Kompania Rajonale e Mbeturinave KRM “Pastrimi” Sh.A. njofton konsumatorët se, në përputhje me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, e miratuar zyrtarisht nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në dhjetor të vitit 2023 dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës (akt.nr. 90391) https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=90391, po aplikon çmimoren e shërbimit të grumbullimit dhe transportit të mbeturinave”, thuhet në njoftim.
Sipas “Pastrimit”, ky akt përcakton tarifat e standardizuara për shërbimin e grumbullimit dhe transportit të mbeturinave komunale, duke reflektuar kategorizimin e konsumatorëve nga amvisëritë rezidente dhe jorezidente deri te bizneset sipas madhësisë dhe llojit të kontratave.
“Çmimorja reflekton kategorizimin e konsumatorëve – nga amvisëritë rezidente e jorezidente, tek bizneset e ndryshme sipas madhësisë dhe llojet e kontratave – në mënyrë që shërbimi të ofrohet në mënyrë të barabartë, transparente dhe efikase për të gjithë,” thuhet në njoftimin e KRM “Pastrimi”.
Kompania bën të ditur se zbatimi i çmimores synon sigurimin e funksionimit të qëndrueshëm të shërbimit dhe rritjen e transparencës në tarifim.
“Synimet kryesore të zbatimit të çmimores janë sigurimi i një sistemi të qëndrueshëm financiar për funksionimin e shërbimit, rritja e transparencës dhe qartësisë në tarifim, mbështetja e ofrimit të një shërbimi të rregullt dhe cilësor për të gjithë konsumatorët, si dhe përmbushja e standardeve mjedisore dhe të shëndetit publik në territorin e Komunës së Prishtinës,” thekson kompania.
KRM “Pastrimi” vlerëson bashkëpunimin me qytetarët dhe subjektet ekonomike dhe shpreh gatishmërinë për sqarime dhe informim publik lidhur me çmimoren e miratuar.
“Qëllimi ynë kryesor mbetet garantimi i një qyteti më të pastër, një shërbimi më efikas dhe një procesi të drejtë tarifimi për të gjithë,” thuhet në njoftimin e kompanisë. 




