Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka kujtuar 28-vjetorin e sulmit të dytë të regjimit serb mbi familjen Jashari, duke e cilësuar Prekazin si simbol të përjetshëm të rezistencës dhe lirisë.
“Në këtë ditë kujtese e krenarie shënojmë 28-vjetorin e sulmit të dytë të regjimit gjenocidal serb mbi familjen Jashari. Dita kur Prekazi nuk u përkul, por u ngrit si kambanë lirie për gjithë kombin. Makineria vrastare serbe u përball me rezistencën heroike nga Familja Jashari, e cila nuk u dorëzua kurrë”, ka shkruar Osmani.
Sipas Presidentes, ky sulm ishte paralajmërim i epopesë së lavdishme.
“Prekazi foli me pushkë, sepse liria nuk dhurohet, por fitohet. Ky sulm ishte vetëm paralajmërimi i epopesë. Më 5 mars 1998, Serbia sulmoi sërish. Tri ditë luftë. 59 anëtarë të familjes Jashari ranë heroikisht, bashkë me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari”, ka thënë ajo.
Osmani ka theksuar se rënia e familjes Jashari ishte sakrificë përjetësuese për lirinë e Kosovës, ndërsa Prekazin e cilësoi si vendin simbol të lirisë.
“Ata nuk ranë për të vdekur, por për t’u përjetësuar dhe për ta bërë Kosovën e lirë.Prekazi është altari i lirisë, djepi i UÇK-së, ndërkaq Familja Jashari, flamuri që valon përjetësisht!”, ka shkruar Presidentja.




