Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se ushtria amerikane përdori një armë sekrete sonike gjatë një operacioni kundër Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro , duke i dhënë peshë pretendimeve dhe spekulimeve për të cilat është spekuluar dhe shkruar intensivisht ditët e fundit, raporton Independent .
Në një intervistë me Katie Pavlich Tonight në NewsNation, Trump pranoi se ishte një armë ‘sekrete sonike’, duke u mburrur se, siç tha ai, ‘askush tjetër nuk e ka atë’.
Kur u pyet nëse amerikanët duhet të shqetësohen për fuqinë e këtyre armëve, Trump ngriti vetullat dhe u përgjigj: “Epo, po.”
Ai shtoi se SHBA-të kanë armë “për të cilat askush tjetër nuk di asgjë”, por se “ndoshta nuk është e zgjuar të flasësh për to”.“Ishte një sulm i pabesueshëm”, përfundoi presidenti, pa hyrë në detaje teknike.
Të pakët në numër, por me teknologji të përparuar
Deklarata e Trump vjen pas daljes në dritë të dëshmive rreth përdorimit të armëve të panjohura gjatë operacionit amerikan në Venezuelë. Siç raportoi më parë New York Post, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolina Leavitt, ndau dëshminë e supozuar të një anëtari të forcave të sigurisë venezueliane në rrjetin social X, me mesazhin “Duhet lexuar”.
Sipas rrëfimit, operacioni amerikan filloi me një ndërprerje të papritur të sistemeve të radarëve, pas së cilës dronë dhe helikopterë u shfaqën mbi pozicionin, nga i cili, sipas dëshmitarëve, u vendosën rreth njëzet ushtarë amerikanë. Edhe pse të paktë në numër, ata dyshohet se kishin teknologji jashtëzakonisht të përparuar, gjë që ua bëri të pamundur forcave venezueliane të mbroheshin në mënyrë efektive.
Dëshmitari pohon se në një moment u aktivizua një pajisje e panjohur, të cilën ai e përshkruan si një tingull të fuqishëm ose valë energjie.
“Ndjeva sikur koka po më shpërthente nga brenda”, tha ai në deklaratë. Pas kësaj, pretendon ai, ushtarëve filloi t’u dilte gjak nga hundët, disa vjellën gjak dhe disa prej tyre ranë përtokë, të paaftë për të lëvizur. “Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”, shtoi ai.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Venezuelës, rreth njëqind anëtarë të forcave të sigurisë u vranë në sulmin e 3 janarit, megjithëse nuk dihet se sa vdekje lidhen drejtpërdrejt me përdorimin e armëve kontroverse.
Një ish-burim i inteligjencës amerikane i tha gazetës New York Post se ushtria amerikane ka zhvilluar dhe poseduar armë me energji të drejtuar, duke përfshirë sisteme mikrovalësh dhe lazeri, për vite me radhë, të cilat mund të shkaktojnë simptoma të tilla si gjakderdhje, çorientim, dhimbje të forta dhe paaftësi të përkohshme. Megjithatë, ai theksoi se deri më tani nuk kishte pasur konfirmim të pavarur se një teknologji e tillë ishte përdorur në të vërtetë në Venezuelë.
Rusët janë të shqetësuar
Ndërkohë, Rusia iu bashkua diskutimit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska po kërkonte shpjegime shtesë rreth pretendimeve të Trump dhe se shërbimet ruse ishin ngarkuar me mbledhjen e më shumë informacioneve rreth natyrës së armës.
Edhe pse përdorimi i armëve sonike nuk është i paligjshëm në vetvete, ekspertët ligjorë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e vetë operacionit dhe arrestimin e presidentit të Venezuelës.




