Me 81 vota për, dhe 19 kundër, deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut votuan Ligjin për Kundërvajtje, i cili do të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Ligji u miratua me votat e shumicës parlamentare, partisë E Majta, deputetit të pavarur Ilir Demiri dhe deputetit të partisë turke Bejxhan Iliaz.

Kundër votuan deputetët e Frontit Evropian, të LSDM-së dhe deputetët e Aleancës për Shqiptarët.

“Safe Cyti nuk është një projekt teknologjik , apo kamera që shikojnë rrugët, por është një sistem që mbron prindërit ,djemtë, fëmijët, motrat, gjithë qytetarët nga papërgjegjshmëria e dikujt tjetër që është i pa përgjegjshëm”, tha Bekim Qoku nga Koalicioni VLEN.

Deputetët e partive shqiptare në opozitë vlerësuan se në ligjin për kundërvajtje ka pabarazi në implementim.

“Ne votojmë sipas bindjes dhe qëndrimeve të qytetarëve. Realisht, nuk kemi besim do të bëhen ndryshimet në të ardhmen”, tha Rina Hajdari, deputete e koalicionit AKI.

“Këto kamera të Safe City janë duke u praktikuar dhe do fillojnë të përdoren edhe dënime konkrete vetëm në tre qytete, në Tetovë, Shkup dhe Kumanovë. Duhet të kemi parasysh edhe një fakt tjetër, sidomos rrugët në disa prej këtyre vendeve të përcaktuara dhe janë të shpeshta kamerat e sigurisë, sidomos në Çair infrastruktura është shumë më e dobët që është shumë më shumë arsye për shkelje”, tha  Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët.

Aleanca për Shqiptarët njoftoi se të hënën do ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Kundërvajtje, duke vlerësuar se ai është i padrejtë dhe diskriminues.