Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në takimin e dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin, ku së bashku me ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor po diskutojnë çështje me interes të përbashkët dhe rëndësi strategjike për rajonin.
Gjatë fjalës së saj në këtë forum, ministrja Gërvalla theksoi se bashkëpunimi dhe siguria rajonale përbëjnë shtyllën kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës dhe janë parakusht për stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor.
Duke u ndalur te sfidat e sigurisë në kontekstin aktual ndërkombëtar, të karakterizuar nga pasiguri dhe zhvillime të ndërlikuara gjeopolitike, Gërvalla nënvizoi rëndësinë e një bashkëpunimi rajonal të qëndrueshëm si domosdoshmëri strategjike. Ajo veçoi bashkëpunimin me Turqinë, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, duke e cilësuar atë si strategjik, transparent dhe të orientuar drejt paqes.
“Ky bashkëpunim synon forcimin e kapaciteteve institucionale dhe rritjen e kontributit në misionet ndërkombëtare paqeruajtëse”, u shpreh ministrja Gërvalla.
Duke vlerësuar rolin e Platformës së Paqes për Ballkanin si një forum që promovon dialogun dhe diplomacinë si mjete për adresimin e sfidave të sigurisë, ministrja Gërvalla theksoi se Kosova vazhdon ta përcjellë këtë mesazh në çdo forum rajonal dhe ndërkombëtar.
Në fund, ajo rikonfirmoi angazhimin e Republikës së Kosovës për bashkëpunim gjithëpërfshirës, forcim të stabilitetit rajonal dhe avancim të dialogut si instrument strategjik për paqe, siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.




