Një numër shtetesh amerikane dhe kryeqyteti Uashington kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme përpara mbërritjes së asaj që mund të jetë një nga stuhitë më të ashpra dimërore në vite, raportuan mediat amerikane të premten.
E shoqëruar nga reshje të dendura dëbore dhe erëra të ngrira, stuhia do të përhapet në një zonë prej 3,000 kilometrash gjatë fundjavës, nga New Mexico në jugperëndim deri në Maine në verilindje, paralajmëroi shërbimi meteorologjik.
Sipas raportimeve të medias, linjat ajrore kanë anuluar tashmë qindra fluturime si masë paraprake. Shumë shkolla anuluan mësimet të premten.
Ekziston gjithashtu frika e ndërprerjeve të energjisë elektrike, për shembull për shkak të pemëve të rrëzuara ose linjave të energjisë elektrike që këputen nën peshën e akullit.Paralajmërimet për motin ose alarmet speciale janë në fuqi për rreth 160 milionë njerëz. Autoritetet u kanë bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë në shtëpi nëse është e mundur dhe të lënë makinat e tyre në shtëpi.
Në të gjithë shtetin e Nju Jorkut, i ftohti mund të jetë ‘absolutisht vdekjeprurës’, paralajmëroi guvernatorja Kathy Hochul .
Kryeqyteti, Uashingtoni, ka shpallur gjithashtu gjendje të jashtëzakonshme për shkak të një stuhie të madhe dëbore që pritet gjatë fundjavës. Masat hyjnë në fuqi menjëherë, tha kryetarja e bashkisë Muriel Bowser .
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shfrytëzoi të ftohtin ekstrem për të kritikuar përsëri ekspertët e klimës.”A mund të shpjegojnë rebelët mjedisorë, ju lutem – çfarë ndodhi me ngrohjen globale?” shkroi ai në rrjetin e tij social Truth.






