“Në çështjen e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuҫit në lidhje me pretendimet për ndikim të paligjshëm ndaj dëshmitarëve, gjykatësi i çështjes miratoi një kërkesë të ZPS-së për shtimin e materialeve në listën e saj të provave materiale dhe nxjerrjen zyrtare të këtyre materialeve Mbrojtjes më 19 janar 2026. Në materialet shtesë përfshihen materiale që ZPS-ja ka marrë gjatë muajit të fundit nga një institut dhe një kompani forenzike. Të njëjtën ditë, gjykatësi miratoi një kërkesë të përbashkët të Mbrojtjes për shtimin e numrit të fjalëve për përgjigjen e tyre ndaj mocionit të ZPS-së për pranim të provave”, tha ai.

Sipas tij, më 20 janar, gjykatësi i çështjes miratoi një kërkesë të Prokurorisë për pranimin si prova të intervistës së z. Kilaj dhënë prokurorëve në kohën e kontrollimit dhe sekuestrimit në vendbanimin e tij, bashkë me provat materiale që lidhen me intervistën.

“Në kohën e intervistës, z. Kilaj hoqi dorë nga e drejta e tij për të heshtur dhe nga e drejta për të pasur avokat të pranishëm gjatë intervistës. Gjykatësi konstatoi se përpara intervistës, ZPS-ja i kishte komunikuar z. Kilaj, gojarisht dhe me shkrim në shqip, të gjitha të drejtat e tij si i dyshuar sipas nenit 38(3) të Ligjit të DHSK-së, dhe se z. Kilaj kishte konfirmuar përmes vënies së nënshkrimit se i kuptonte këto të drejta. Z. Kilaj u informua gjithashtu se mund të tërhiqej nga heqja dorë e të drejtave në çdo kohë dhe të ndryshonte mendje lidhur me praninë e avokatit. Sipas ligjit, prokurorët ishin gjithashtu të detyruar të njoftonin z. Kilaj se ishte i dyshuar për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Mbrojtja e kundërshtoi pranimin e intervistës me pretendimin se z. Kilaj nuk ishte informuar mjaftueshëm në hollësi për veprat penale për të cilat hetohej. Bazuar në incizimin e intervistës, gjykatësi konstatoi se intervistuesit ia kishin bërë të qartë z. Kilaj që në fillim se ekzistonin arsye për të besuar se ai kishte kryer një vepër penale që përfshihet në juridiksionin e gjykatës, se ZPS-ja hetonte krime ndërkombëtare dhe krime të lidhura me pengimin e drejtësisë, dhe se çdo deklaratë e dhënë nga ai mund të përdorej kundër tij në gjykatë”, tha ai.