Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të kryeqytetit për vitet e ardhshme.

“Ne e shohim arsimin si një investim strategjik, pasi lidhet me shumë sfera të tjera të shoqërisë sonë: ekonominë, aspektin social dhe kulturor. Arsimi është investim për të ardhmen e Kosovës. Kemi investuar në mësimin tërëditor, në digjitalizimin e shkollave dhe në përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Këto janë investime serioze që dëshmojnë përkushtimin tonë”, tha Rama.

Ai shtoi se prioritetet janë të qarta, duke nënvizuar se mësimi tërëditor do të vazhdojë të shtrihet në të gjitha shkollat e kryeqytetit, si dhe do të ketë avancim të mëtejmë të digjitalizimit në arsim.

“Synimi ynë është krijimi i një ekosistemi arsimor për të ardhmen e fëmijëve tanë, duke i përgatitur ata sa më mirë për tregun e punës”, theksoi Rama.

Ndërkaq, Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, foli për gjendjen aktuale të arsimit në kryeqytet, duke theksuar se arsimimi cilësor mbetet një nga prioritetet kryesore.

“Një nga sfidat me të cilat përballemi është ngarkesa në disa shkolla të zonave urbane, gjë që ndikon edhe në zgjerimin e mësimit tërëditor. Megjithatë, sistemi arsimor është në përmirësim të vazhdueshëm, gjë që po dëshmohet edhe përmes vlerësimeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit të shkëlqyer institucional”, tha Shahini.

Ai shtoi se mësimi tërëditor është një indikator i rëndësishëm i progresit, duke u shndërruar në model edhe për komunat e tjera të vendit, ndërsa shtoi se po punohet intensivisht që ky model të përfshihet edhe në shkolla të tjera.

Po ashtu, Shahini theksoi rëndësinë e investimit të vazhdueshëm në zhvillimin profesional të mësimdhënësve, si dhe sigurinë në shkolla, duke e cilësuar atë si një nga arritjet për të cilën Kryeqyteti ndjehet krenar.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit të Prindërve, Nexhmi Hoxha, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit mes prindërve dhe drejtuesve të shkollave.

“Kemi vërejtur se në Prishtinë bashkëpunimi mes prindërve dhe shkollave është në rritje, ashtu si edhe roli i prindërve në proceset vendimmarrëse”, tha Hoxha.

Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e nxënësve theksuan rëndësinë e përfshirjes dhe përfaqësimit të tyre në vendimmarrje, duke e konsideruar këtë si një faktor kyç për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe mirëqenies në shkolla.