Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka shprehur shqetësimin dhe kundërshtimin ndaj mbajtjes së ligjëratës në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, e realizuar nga përfaqësues të Gjykatës Speciale në bashkëpunim me organizatën Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR).
Në këtë reagim, SBASHK-u e konsideron të papranueshme që institucionet arsimore të shfrytëzohen për promovimin e një narrative, sipas tyre, të njëanshme, me synimin që nxënësit të binden se Gjykata Speciale përfaqëson drejtësi.
“Nuk ka padrejtësi më të madhe sesa fakti që për më shumë se pesë vite mbahen në paraburgim luftëtarët e lirisë, bashkëpunëtorë të NATO-s, të cilët luftuan për të drejtat elementare të popullit të Kosovës, për lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për arsimim”, thuhet tutje në reagim.
Kjo sindikatë gjithashtu ka reaguar edhe ndaj përfshirjes së organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR).
“E cila përmes këtij aktiviteti ka kontribuar në futjen e një agjende politike dhe ideologjike në institucionet arsimore, pa respektuar ndjeshmërinë historike, kombëtare dhe arsimore të shoqërisë sonë”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
SBASHK-u i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë dhe menaxhmentit të Gjimnazit “Xhevdet Doda”, që të marrin masa konkrete lidhur me këtë rast dhe, siç thonë ata, të mos lejojnë që shkollat të shndërrohen në hapësira për promovimin e mekanizmave që cenojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës sonë çlirimtare.
Kujtojmë se një ditë më parë, Drejtoria e Shkollës “Xhevdet Doda” e ka mohuar se janë mbajtur ligjërata të tilla në shkollë. “Në lidhje me disa informacione të pasakta që po qarkullojnë, sqarojmë opinionin publik se nuk ka pasur asnjë ligjëratë të mbajtur nga zyrtarë apo gjykatës të Gjykatës Speciale në ambientet e shkollës sonë,” thuhet në reagimin e shkollës.
Ndërsa Drejtoria e Arsimit në Kryeqytet thotë se nuk ka qenë e përfshirë në vendimmarrjen e ligjëratës mbi Gjykatën Speciale të mbajtur në ambientet e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda”.
“Sipas informatave zyrtare të pranuara nga shkolla, aktiviteti është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), ndërsa miratimi për mbajtjen e tij është dhënë nga Këshilli Drejtues i Shkollës (KDSH), pa përfshirjen dhe pa autorizimin e Drejtorisë së Arsimit në Kryeqytet”.
Drejtoria e Arsimit në Kryeqytet shpreh indinjatën për mënyrën se si është vepruar dhe njofton se do të ndërmerren masa konkrete ndaj të gjithë personave që mbajnë përgjegjësi për këtë veprim, në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore në fuqi.




