Gjykata Speciale ka reaguar pas debateve lidhur me një ligjëratë të mbajtur në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, duke sqaruar se aktiviteti është zhvilluar në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim dhe se nuk ka pasur asnjë përmbajtje politike apo ideologjike.
Në deklaratë, Dhomat e Specializuara të Kosovës bëjnë të ditur se që nga viti 2018, me mbështetjen e Zvicrës, ky program ka zhvilluar aktivitete komunikimi dhe informimi pothuajse çdo muaj me audienca të ndryshme në mbarë Kosovën.
“Këto aktivitete të përcjelljes së informacionit kanë për qëllim të sigurojnë praninë në Kosovë, të ofrojnë informacion bazë për mandatin dhe veprimtarinë e Gjykatës, t’u japin njerëzve në Kosovë mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre dhe, mbi të gjitha, t’u përgjigjen pyetjeve të tyre. Janë organizuar aktivitete me studentë, juristë, shoqërinë civile, qytetarë të komuniteteve vendore, dhe me shumë të tjerë”, thuhet në deklaratë.
“Duke qenë se gjykimet kryhen në Hagë, që në fillim u vlerësua se Gjykata duhet të komunikojë me njerëzit që ndikohen nga proceset gjyqësore, duke u ofruar atyre informacion transparent, asnjanës dhe të qasshëm, sikurse kanë vepruar edhe tribunalë të tjerë”, theksohet tutje.
Në deklaratë thuhet se informacioni i përcjellë gjatë këtyre aktiviteteve është i njëjtë me atë që publikohet në faqen zyrtare të DHSK-së dhe përfshin të dhëna për mandatin e Gjykatës, të drejtat e të akuzuarve, pjesëmarrjen e viktimave dhe zhvillimet ligjore në çështjet gjyqësore.
Gjykata sqaron gjithashtu ndarjen institucionale nga Prokuroria. “Gjykata është një institucion i ndarë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Programi për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i administruar nga Zyra Administrative si organ asnjanës i Gjykatës, nuk përfaqëson as Prokurorinë, as Mbrojtjen,” thuhet në deklaratë.
Po ashtu, theksohet se “prezumimi i pafajësisë së një të akuzuari komunikohet qartë” dhe se “në informacionin që përcillet nuk përfshihet përmbajtje politike apo ideologjike”.
DHSK-ja rikujton se prej vitesh ka komunikuar në mënyrë transparente për këto aktivitete dhe se për to kanë raportuar edhe gazetarë, ndërsa informacionet publikohen rregullisht në faqen zyrtare, rrjetet sociale dhe raportet vjetore.
Tutje theksohet se gjykata vlerëson se është e rëndësishme të dëgjojë mendimet e njerëzve në Kosovë dhe t’u përgjigjet pyetjeve të tyre përmes Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim.




