Gjyqtarët e Gjykatës Supreme, Franciska Zhitija-Ymeri dhe Rrustem Thaqi, janë zgjedhur anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
Procesi i votimit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme është zhvilluar sot në ambientet e kësaj gjykate. Në garë për këto pozita kanë qenë edhe gjyqtarët Bashkim Hyseni dhe Mejreme Memaj.
Të drejtë vote kanë pasur 35 gjyqtarë, ndërsa në proces kanë marrë pjesë 34 prej tyre. Meqenëse në raundin e parë asnjë nga kandidatët nuk ka arritur shumicën e thjeshtë të votave, Komisioni Zgjedhor ka vendosur që procesi të vazhdojë në raundin e dytë.
Në raundin e dytë të votimit, rezultatet kanë qenë: Franciska Zhitija-Ymeri dhe Rrustem Thaqi nga 19 vota secili, ndërsa Bashkim Hyseni dhe Mejreme Memaj nga 15 vota.
Bazuar në këto rezultate, Komisioni ka konstatuar se Franciska Zhitija-Ymeri dhe Rrustem Thaqi janë zgjedhur anëtarë të KGJK-së dhe emrat e tyre do t’i përcillen këtij institucioni për certifikim zyrtar.
Procesi i votimit është udhëhequr nga Komisioni i themeluar nga KGJK-ja, i kryesuar nga gjyqtarja Drita Rexhaj, me anëtarë gjyqtarët Fidan Hoxha dhe Artan Abazi.
Zgjedhjet janë monitoruar nga përfaqësues të EULEX-it, OSBE-së, Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).




