Policia Rajonale në Ferizaj ka njoftuar se ka ndaluar dy persona ndaj të cilëve kishte urdhërarrest aktiv të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Sipas policisë ata u kapën kur sot pasdite patrulla e policisë, në rrugën “Brigada 161” në Ferizaj, kishte ndaluar dy personat e dyshuar, dhe kur të njëjtëve i janë verifikuar të dhënat është konstatuar se të dy personat ishin me urdhërarrest aktiv.
“Personi Q. R (26 vjeç) ka rezultuar me urdhëresë aktive, sipas së cilës dënimi me gjobë prej 400 euro për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ishte zëvendësuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 20 ditësh. Ndërkohë, personi Y.C (24 vjeç) ka rezultuar me urdhërarrest aktiv, të lëshuar nga gjykata, për shkak të mungesës në shqyrtimin gjyqësor lidhur me veprën penale “Vjedhja””, thuhet në njoftim.
Policia në Ferizaj ka bërë të ditur se pas kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm personi Q.R është dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa Y.C është ndaluar në mbajtje për 48 orë.



