Partia për Veprim Demokratik ka publikuar tekstin e propozim Ligjit të kongresistit, Keith Self që u miratua në Komisionin për Politikë të Jashtme e përmes së cilit adresohet diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë nga Serbia.
Ata kanë paraqitur gjithë rrjedhën nga fillimi e deri të miratimi i këtij projektligji.
Pika A thotë se “Jo më vonë se 180 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, Sekretari i Shtetit duhet të përgatisë dhe t’ia dorëzojë Komisionit për Punë të Jashtme një raport mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, i cili duhet të përfshijë vlerësim për çështjet e mëposhtme”.
Sipas këtij dokumenti të publikuar nga Partia për Veprim demokratik aty vijohet me çështjen e pasivizimit të adresave.
Këto janë të gjitha pikat e propozim ligjit që u votua ditë më parë në Kongres.
1. Çaktivizimi i vendbanimeve të regjistruara, i njohur si “pasivizim” i adresave nga autoritetet qeveritare të Serbisë, që u përkasin shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës (e njohur gjithashtu si “Lugina e Preshevës”, “Presheva Valley” ose “Presevo Valley”).
2. Nëse një praktikë e tillë, nëse konfirmohet, po i pengon shqiptarët etnikë të rinovojnë dokumentet e identitetit dhe të ushtrojnë të drejta themelore që kërkojnë identifikim, siç është votimi.
3. Nëse Serbia shpërfill integrimin proporcional të shqiptarëve etnikë në institucionet shtetërore dhe institucionet e tjera publike.
4. Nëse Serbia neglizhon ose refuzon të njohë diplomat dhe gradat e fituara në Kosovë nga shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.
5. Nëse Serbia kufizon ose ndalon përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike në çdo nivel ose në dokumentet personale, përfshirë dokumentet e identitetit, patentat e shoferit, kartelat shëndetësore, certifikatat e lindjes, martesës ose vdekjes, veçanërisht në komunat e Serbisë ku shumica e banorëve janë shqiptarë.
6. Nëse Serbia po pengon ose vështirëson furnizimin e rregullt dhe në kohë me tekste shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë etnikë në Luginën e Preshevës.
7. Nëse Serbia kundërshton në mënyrë aktive ose shpërfill integrimin proporcional të shqiptarëve etnikë në institucionet shtetërore ose institucionet e tjera publike.
8. Nëse Serbia u ndan komunave me shumicë shqiptare fonde të ulëta nga buxheti qendror në krahasim me komunat me shumicë serbe, dhe nëse këto fonde janë të mjaftueshme për t’u mundësuar qeverive lokale mirëmbajtjen ose ndërtimin e infrastrukturës së re apo ofrimin e shërbimeve të tjera publike të nevojshme për banorët lokalë.
9. Nëse Serbia shtyp ose kufizon përdorimin e simboleve që përbëjnë pjesë të identitetit etnik.
10. Nëse Serbia përdor policinë ose forcat e tjera të zbatimit të ligjit për të marrë në pyetje, kërcënuar ose frikësuar shqiptarët etnikë lokalë pa arsye ose procedurë të rregullt ligjore.
11. Niveli i mbështetjes që Serbia ofron për mediat, shtypin ose aktivitetet kulturore në gjuhën shqipe.
12. Shqyrtimi nga ana e Serbisë për zbatimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për shqiptarët etnikë.
13. Nëse Serbia ndërmerr masa për të rritur qëllimisht varfërinë ose për ta bërë jetën të paqëndrueshme për shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës.
Tutje, sipas Partisë për Veprim Demokratik, raporti duhet të dorëzohet në formë jo të klasifikuar, por mund të përmbajë një shtojcë të klasifikuar, nëse është e nevojshme.




