Procesi në tërësi është përmbyllur në 22 komuna, ka njoftuar Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi që ka thënë se në platfomën e KQZ-së për rezultate do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi.

Ndërkohë, KQZ-ja planifikon që gjatë javës së ardhshme të përmbyllë në tërësi procesin e rinumërimit e më pas të dalin me rezultatet përfundimtare.

Vendim i KQZ-së për rinumërim erdhi pas evidentimit të manipulimeve me vota të kandidatëve brenda partive politike, ku për një kandidat ka arritur të shkojë diferenca deri në mbi 6 mijë vota, për çka u aktivizua edhe Prokuroria e Shtetit.

Prokuroria Themelore në Prizren ka arrestuar 109 persona si të dyshuar derisa edhe prokurori të tjera janë angazhuar për të mbledhur informacione e prova për manipulime të mundshme me vullnetin e qytetarëve.